Së Bashku

Zbulesa 16:11-21 Së Bashku (ALNT)

11. Ata fyen Perëndinë e qiellit për dhembjet e plagët, por nuk u penduan për veprat e tyre.

12. Engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij mbi lumin e madh të Eufratit. Ujërat e lumit u thanë për të përgatitur udhën për mbretërit që vijnë nga lindja e diellit.

13. Pastaj nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë pashë të dilnin tre shpirtra të këqij, që ngjanin me bretkosa.

14. Ata janë shpirtra djajsh, që bëjnë mrekulli dhe janë nisur për të mbledhur mbretërit e gjithë botës për betejën e ditës së madhe të Perëndisë së gjithëpushtetshëm.

15. «Ja ku po vij si vjedhës! Lum ai që rri zgjuar e i ruan rrobat, që të mos ecë i zhveshur e të turpërohet në sytë e të gjithëve».

16. Shpirtrat i mblodhën njerëzit në vendin që hebraisht quhet ‘Armagedon’.

17. Engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në ajër. Nga froni i tempullit doli një zë i lartë që tha: «U krye!».

18. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima dhe ra një tërmet i madh. Një tërmet i tillë nuk kishte rënë kurrë mbi tokë që nga krijimi i njeriut. Kaq i fortë qe tërmeti!

19. Qyteti i madh u nda në tri pjesë, ndërsa qytetet e paganëve ranë. Perëndisë iu kujtua Babilonia e madhe dhe i dha asaj kupën e verës së zemërimit të tij të tmerrshëm.

20. Ishujt lëvizën nga vendi, ndërsa malet nuk u panë më.

21. Nga qielli filluan të binin mbi njerëzit kokrra të mëdha breshëri të fortë që peshonin secila rreth dyzet kilogramë. Njerëzit fyen Perëndinë për plagën e breshërit, sepse ajo plagë ishte shumë e rëndë.