Së Bashku

Titit 1:1-8 Së Bashku (ALNT)

1. Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t’u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë dhe për t’u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë,

2. që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve

3. dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m’u besua sipas urdhërit të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

4. Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët:Hiri dhe paqja nga Perëndia atë dhe nga Krishti Jezu, Shpëtimtari ynë, qofshin me ty!

5. Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara dhe të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova.

6. Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t’i ketë fëmijët besimtarë, që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje.

7. Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme.

8. Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë dhe i matur.