Së Bashku

Luka 9:33-42 Së Bashku (ALNT)

33. Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elian». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte.

34. Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika.

35. Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!».

36. Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.

37. Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe.

38. Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm!

39. Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë, e shkund me dhunë, derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon dhe largohet me vështirësi prej tij.

40. Iu luta dishepujve të tu që ta dëbonin, por nuk mundën».

41. Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj?Sille këtu tët bir!».

42. Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit.