Së Bashku

Luka 8:32-39 Së Bashku (ALNT)

32. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullosnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t’i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi.

33. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa vrapoi të hidhej nga humnera në liqen e u mbyt.

34. Kur panë çfarë ndodhi, ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra.

35. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në rregull. Ata i zuri frika.

36. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli.

37. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye.

38. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi dhe i tha:

39. «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.