Së Bashku

Luka 8:3-16 Së Bashku (ALNT)

3. Joana, gruaja e Kuzit, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve.

4. Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra:

5. «Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën dhe zogjtë e qiellit i hëngrën.

6. Disa të tjera ranë në gurishtë dhe sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë.

7. Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën.

8. Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».

9. Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë.

10. Jezui u përgjigj:«Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që të kenë sy e të mos shohin dhe të dëgjojnë e të mos kuptojnë.»

11. «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë.

12. Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen.

13. Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin.

14. Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria dhe kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen.

15. Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».

16. «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda.