Së Bashku

Luka 8:17-33 Së Bashku (ALNT)

17. Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë.

18. Kini kujdes për mënyrën sesi dëgjoni, sepse atij që ka do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo pak që mendon se ka».

19. Nëna dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës.

20. Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin».

21. Por ai u tha: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».

22. Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën.

23. Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi.Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik.

24. Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi».Ai u zgjua e qortoi erën dhe dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë.

25. Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?».Ata ishin të trembur e të mahnitur dhe i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?».

26. Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë.

27. Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ky njeri ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por në varreza.

28. Kur e pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë më të lartë? Të lutem, mos më mundo!»,

29. sepse Jezui e urdhëroi shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu.Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë.

30. Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?».Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj.

31. Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.

32. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullosnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t’i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi.

33. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa vrapoi të hidhej nga humnera në liqen e u mbyt.