Së Bashku

Luka 6:30-37 Së Bashku (ALNT)

30. Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko.

31. Bëjuni të tjerëve ashtu siç do të donit t’ju bëjnë ata juve.

32. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan.

33. Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu.

34. Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t’jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë.

35. Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre dhe jepni hua pa pritur që t’ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh dhe do të jeni bij të më të lartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë.

36. Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj.»

37. «Mos gjykoni dhe Perëndia nuk do t’ju gjykojë. Mos dënoni dhe Perëndia nuk do t’ju dënojë. Falni dhe Perëndia do t’ju falë.