Së Bashku

Luka 6:1-6 Së Bashku (ALNT)

1. Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin.

2. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?».

3. Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të?

4. Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t’i hajë askush përveç priftërinjve?».

5. Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i së shtunës».

6. Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë dhe filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.