Së Bashku

Luka 4:18-31 Së Bashku (ALNT)

18. «Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t’u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t’u shpallur robërve lirinë dhe për t’u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit

19. dhe për të shpallur vitin e hirit të Zotit».

20. E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai.

21. Jezui filloi t’u thoshte: «Sot u përmbush kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj».

22. Të gjithë flisnin mirë për të dhe mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij dhe thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?».

23. Jezui u tha:«Ju do të më përmendni padyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum».

24. Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij.

25. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elias kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës.

26. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve.

27. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».

28. Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë.

29. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë.

30. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.

31. Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë.