11. dhe do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur».
12. Por Jezui iu përgjigj: «Shkrimi i shenjtë thotë: Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd».
13. Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për një farë kohe.
14. Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi.
15. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin.
16. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar
17. dhe i dhanë librin e profetit Isaia. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18. «Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t’u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t’u shpallur robërve lirinë dhe për t’u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit
19. dhe për të shpallur vitin e hirit të Zotit».
20. E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai.
21. Jezui filloi t’u thoshte: «Sot u përmbush kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj».
22. Të gjithë flisnin mirë për të dhe mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij dhe thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?».
23. Jezui u tha:«Ju do të më përmendni padyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum».
24. Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij.
25. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elias kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës.
26. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve.
27. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».