Së Bashku

Luka 3:7-18 Së Bashku (ALNT)

7. Gjoni u thoshte turmave që vinin për t’u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?

8. Tregojeni me vepra se jeni penduar dhe mos filloni t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë.

9. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr».

10. Turmat e pyetën: «Ç’duhet të bëjmë, atëherë?».

11. Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t’ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu».

12. Erdhën për t’u pagëzuar edhe tagrambledhësit dhe i thanë: «Mësues, ç’duhet të bëjmë?».

13. Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç’ju është ngarkuar».

14. Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç’duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë dhe duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj».

15. Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti.

16. Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarr.

17. Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë».

18. Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera.