Së Bashku

Luka 24:32-44 Së Bashku (ALNT)

32. Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës dhe kur na shpjegonte Shkrimet e shenjta?».

33. Në atë çast u ngritën dhe shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët dhe të tjerët që ishin me ta dhe që po rrinin së bashku.

34. Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit».

35. Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës.

36. Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre dhe u tha: «Paqja me ju!».

37. Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt.

38. Por ai u tha: «Përse keni frikë dhe përse lindin dyshime në zemrat tuaja?

39. Shikojini duart e mia dhe këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë».

40. Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart dhe këmbët.

41. Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?».

42. Ata i dhanë një copë peshk të pjekur.

43. Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre.

44. Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te profetët dhe te psalmet, duhet të përmbushet».