Së Bashku

Luka 24:17-31 Së Bashku (ALNT)

17. Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur udhës?».Ata u ndalën të trishtuar.

18. Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?».

19. Ai i pyeti: «Çfarë?».Ata i thanë:«Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit, që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve

20. dhe se si kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan.

21. Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra.

22. Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri

23. dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë.

24. Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë».

25. Atëherë ai u tha: «O të pamend dhe të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët!

26. A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?».

27. Pastaj ai u shtjelloi të gjitha pjesët e Shkrimit të shenjtë që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.

28. Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte,

29. por ata iu lutën shumë dhe i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta.

30. Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu dhe ua dha atyre.

31. Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre.