13. Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus, që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi.
14. Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur.
15. Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta,
16. por diçka i pengonte ta njihnin.
17. Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur udhës?».Ata u ndalën të trishtuar.
18. Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?».
19. Ai i pyeti: «Çfarë?».Ata i thanë:«Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit, që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve
20. dhe se si kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan.
21. Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra.
22. Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri
23. dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë.
24. Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë».
25. Atëherë ai u tha: «O të pamend dhe të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët!
26. A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?».
27. Pastaj ai u shtjelloi të gjitha pjesët e Shkrimit të shenjtë që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.