35. Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë dhe pa sandale, a ju mungoi gjë?».Ata i thanë: «Asgjë».
36. Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t’i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë mantelin e vet dhe të blejë një shpatë.
37. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet Shkrimi i shenjtë që thotë: U radhit me të paudhët. E me të vërtetë, çfarë është thënë për mua po përmbushet».
38. Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata».Ai u përgjigj: «Është mjaft».
39. Jezui doli e shkoi në Malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij.
40. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim».
41. Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë dhe u lut
42. kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!».
43. Pastaj iu shfaq një engjëll nga qielli dhe i dha forcë.
44. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.
45. Kur u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur nga trishtimi.
46. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni dhe lutuni që të mos bini në tundim».
47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur,
48. por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?».
49. Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t’u biem me shpata?».
50. Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë,
51. por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.
52. Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar?
53. Unë isha çdo ditë me ju në tempull dhe nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».