Së Bashku

Luka 20:9-21 Së Bashku (ALNT)

9. Jezui filloi t’i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë:«Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira dhe u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë.

10. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t’i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët.

11. Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët.

12. Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan.

13. Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt.”

14. Po kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona.”

15. Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.Çfarë do t’u bëjë atyre i zoti i vreshtit?

16. Ai do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve».Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!».

17. Por Jezui hodhi sytë drejt tyre dhe tha: «Ç’kuptim kanë këto fjalë të Shkrimit të shenjtë: Guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes?

18. Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».

19. Skribët dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.

20. Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t’ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të qeveritarit.

21. Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet dhe mëson drejt, se nuk ndikohesh nga njerëzit, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë.