Së Bashku

Luka 19:11-17 Së Bashku (ALNT)

11. Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast.

12. Ai u tha:«Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej.

13. Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”

14. Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t’i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.”

15. Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët që u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur.

16. Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera.”

17. Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete.”