Së Bashku

Luka 18:10-14 Së Bashku (ALNT)

10. «Dy njerëz shkuan për t’u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës.

11. Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës.

12. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia.”

13. Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”

14. Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet e kush e përul vetveten, do të lartësohet».