Së Bashku

Luka 15:17-27 Së Bashku (ALNT)

17. Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim ati kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie.

18. Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t’i them: Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje.

19. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu.”

20. Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi.

21. Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt.”

22. Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë.

23. Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë,

24. se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.

25. Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle.

26. Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte.

27. Ai iu përgjigj: “Vëllai yt ka ardhur dhe yt atë ka therur viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë.”