Së Bashku

Luka 13:26-35 Së Bashku (ALNT)

26. Atëherë do të filloni të thoni: “Ne kemi ngrënë e kemi pirë me ty dhe ti na ke mësuar nëpër sheshe.”

27. Por ai do të thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi.”

28. Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t’ju kenë hedhur përjashta.

29. Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë.

30. Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit».

31. Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë».

32. Dhe Jezui u tha:«Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time.

33. Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit.”

34. Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët dhe që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët.

35. Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!».