Së Bashku

Luka 13:22-29 Së Bashku (ALNT)

22. Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit.

23. Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?».Atëherë Jezui i tha:

24. «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin.

25. Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini.”

26. Atëherë do të filloni të thoni: “Ne kemi ngrënë e kemi pirë me ty dhe ti na ke mësuar nëpër sheshe.”

27. Por ai do të thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi.”

28. Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t’ju kenë hedhur përjashta.

29. Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë.