8. «Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë.
9. Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë.
10. Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e Shenjtë, nuk do të falet.
11. Kur t’ju dërgojnë para sinagogave, krerëve dhe autoriteteve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni.
12. Shpirti i Shenjtë do t’ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast».
13. Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua».
14. Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?».
15. Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij».
16. Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë:«Toka e një pasaniku dha shumë prodhim.
17. Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”
18. Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia.
19. E do t’i them shpirtit tim: Shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”