Së Bashku

Luka 12:18-24 Së Bashku (ALNT)

18. Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia.

19. E do t’i them shpirtit tim: Shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”

20. Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t’i mbeten?”

21. Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete dhe nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».

22. Jezui u tha dishepujve të vet:«Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni.

23. Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.

24. Shikoni korbat! Ata as mbjellin, as korrin, as nuk kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët.