Së Bashku

Luka 11:34-41 Së Bashku (ALNT)

34. Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë.

35. Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë.

36. Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».

37. Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë.

38. Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante.

39. Atëherë Zoti i tha:«Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi.

40. Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen?

41. Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme dhe kështu do të keni të pastër gjithçka.