Së Bashku

Luka 11:30-37 Së Bashku (ALNT)

30. Sikurse Jonai u bë shenjë mrekullie për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni.

31. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t’i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.

32. Njerëzit e Ninivës do të ngjallen ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.»

33. «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda.

34. Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë.

35. Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë.

36. Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».

37. Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë.