Së Bashku

Luka 11:20-26 Së Bashku (ALNT)

20. Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

21. Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt.

22. Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën dhe u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.

23. Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.»

24. «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola.”

25. Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar.

26. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».