Së Bashku

Luka 1:4-13 Së Bashku (ALNT)

4. me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.

5. Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakaria, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aaronit që quhej Elizabetë.

6. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve dhe urdhërimeve të Zotit.

7. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë dhe të dy ishin të shkuar në moshë.

8. Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij,

9. sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin.

10. Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta.

11. Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit.

12. Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika.

13. Por engjëlli i tha:«Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Gjon.