Së Bashku

Kolosianëve 2:17-23 Së Bashku (ALNT)

17. Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.

18. Mos lejoni që t’ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë, apo që këmbëngul në përulësi të jashtme dhe në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij të dobët njerëzore.

19. Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.

20. Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin dhe u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t’i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si:

21. «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»?

22. Këto janë gjëra që janë caktuar për t’u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla dhe mësime njerëzish.

23. Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, sepse vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi dhe me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dëshirat e natyrës sonë njerëzore.