Së Bashku

Hebrenjve 9:12-17 Së Bashku (ALNT)

12. Kur Krishti hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepësh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar.

13. Sepse, nëse gjaku i cjepve dhe i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore,

14. aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të Amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t’i shërbejmë Perëndisë së gjallë.

15. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë.

16. Atje ku ka ndonjë testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin.

17. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë.