Së Bashku

Hebrenjve 12:22-29 Së Bashku (ALNT)

22. Ju i jeni afruar Malit të Sionit dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, mijëra engjëjve,

23. bashkësisë së fëmijëve të parëlindur të Perëndisë, emrat e të cilëve janë shkruar në qiell. Ju i jeni afruar Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve dhe shpirtrave të të vdekurve, që kanë arritur përsosjen.

24. I jeni afruar Jezuit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re dhe gjakut të tij të spërkatjes, që flet më mirë së gjaku i Abelit.

25. Kini kujdes se mos nuk ia vini veshin atij që ju flet! Sepse nëse nuk i shpëtuan ndëshkimit ata që nuk e dëgjuan atë që u fliste mbi tokë, shumë më tepër nuk do t’i shpëtojmë ne, nëse mohojmë atë që na flet nga qielli.

26. Zëri i tij atëherë e tronditi tokën, ndërsa tani premton: Edhe një herë do ta trondit nga themelet, jo vetëm tokën, por edhe qiellin.

27. Fjala ‘edhe një herë’ tregon se gjërat e krijuara do të tronditen e do të zhvendosen, në mënyrë që të mbeten gjërat që nuk mund të tronditen.

28. Le të jemi mirënjohës, meqenëse kemi një mbretëri që nuk mund të tronditet. Le të jemi mirënjohës dhe le ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pëlqyeshme me nderim e me druajtje,

29. se Perëndia ynë është zjarr që përpin.