Së Bashku

Hebrenjve 11:30-40 Së Bashku (ALNT)

30. Me anë të besimit, muret e Jerikosë ranë, pasi izraelitët u sollën rrotull tyre për shtatë ditë.

31. Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht.

32. Ç’të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t’ju tregoj për Gideonin, për Barakun, Samsonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe profetët,

33. të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve,

34. shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja.

35. Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë.

36. Të tjerë hoqën poshtërime e fshikullima, madje edhe pranga e burgime.

37. U vranë me gurë, u prenë me sharrë, u vranë nga tehu i shpatës dhe u endën veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, në hidhërime dhe në keqtrajtime.

38. Bota nuk ishte e denjë për ta, prandaj ata endeshin nëpër shkretëtira, nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër vrimat e dheut.

39. Të gjithë këta, megjithëse e morën dëshminë e mirë me anë të besimit nuk e fituan premtimin e Perëndisë.

40. Sepse Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.