Së Bashku

Hebrenjve 11:23-35 Së Bashku (ALNT)

23. Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit.

24. Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhet bir i së bijës së faraonit.

25. Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht jetën në mëkat.

26. Ai e çmoi përçmimin e ngjashëm me përçmimin që do të pësonte Krishti, si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i kishte drejtuar sytë nga shpërblimi.

27. Me anë të besimit, Moisiu e la Egjiptin pa pasur frikë nga zemërimi i mbretit, sepse qëndroi i palëkundur duke parë të padukshmin.

28. Me anë të besimit, ai kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen me gjak, me qëllim që engjëlli shfarosës të mos i vriste fëmijët e parëlindur të Izraelit.

29. Me anë të besimit, izraelitët kaluan Detin e Kuq si të ecnin në tokë të thatë, ndërsa kur e provuan egjiptianët, u mbytën.

30. Me anë të besimit, muret e Jerikosë ranë, pasi izraelitët u sollën rrotull tyre për shtatë ditë.

31. Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht.

32. Ç’të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t’ju tregoj për Gideonin, për Barakun, Samsonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe profetët,

33. të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve,

34. shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja.

35. Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë.