Së Bashku

Hebrenjve 11:14-26 Së Bashku (ALNT)

14. Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe.

15. Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t’u kthyer përsëri atje.

16. Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet.

17. Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm,

18. ndonëse Perëndia i kishte thënë: Nga Isaku do të rrjedhin pasardhësit e tu.

19. Abrahami mendonte se Perëndia mund ta ngjallte prej të vdekurve dhe e mori, në një farë mënyre, Isakun prej të vdekurve.

20. Me anë të besimit, Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun për gjërat e ardhshme.

21. Me anë të besimit, Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi Perëndinë, duke u mbështetur te shkopi i tij.

22. Me anë të besimit, Jozefi, duke vdekur, përmendi daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti dhe i porositi për eshtrat e tij.

23. Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit.

24. Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhet bir i së bijës së faraonit.

25. Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht jetën në mëkat.

26. Ai e çmoi përçmimin e ngjashëm me përçmimin që do të pësonte Krishti, si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i kishte drejtuar sytë nga shpërblimi.