Së Bashku

Gjoni 16:25-33 Së Bashku (ALNT)

25. «Këto gjëra jua thashë me përngjasime, por po vjen koha kur nuk do t’ju flas më me përngjasime, por do t’ju flas hapur për Atin.

26. Atë ditë do të kërkoni në emrin tim dhe nuk ju them se do t’i lutem Atit për ju.

27. Vetë Ati ju do, sepse më keni dashur mua dhe keni besuar se unë kam dalë prej Perëndisë.

28. Unë kam dalë prej Atit dhe kam ardhur në botë. Po e lë përsëri botën dhe po kthehem tek Ati».

29. Dishepujt i thanë: «Ja, tani ti po flet hapur dhe nuk po thua asgjë me përngjasime.

30. Tani e dimë se ti di gjithçka dhe nuk ke nevojë që ndokush të të pyesë. Prandaj besojmë se ke dalë prej Perëndisë».

31. Jezui u përgjigj:«Tani besoni?

32. Ja ku po vjen ora dhe madje ka ardhur kur ju do të shpërndaheni secili në shtëpi të vet dhe do të më lini vetëm. Por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.

33. Jua thashë këto që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngime, por kini guxim! Unë e kam mundur botën!».