Së Bashku

Gjoni 1:42-51 Së Bashku (ALNT)

42. Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.

43. Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin dhe i tha: «Më ndiq!».

44. Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe Pjetrit.

45. Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, të birin e Jozefit».

46. Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?».«Eja e shih!» - iu përgjigj Filipi.

47. Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij dhe tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!».

48. Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?».Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi».

49. Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!».

50. Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!».

51. Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut».