Së Bashku

Gjoni 1:30-40 Së Bashku (ALNT)

30. Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.”

31. Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t’ia zbuloj Izraelit».

32. Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin e Perëndisë tek zbriste prej qiellit si pëllumb dhe që qëndroi mbi të.

33. Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur dhe duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë.”

34. Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».

35. Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij

36. dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!».

37. Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit.

38. Jezui u kthye, dhe kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi - që do të thotë mësues - ku banon?».

39. Jezui u tha: «Ejani dhe shihni!». Ata shkuan, panë se ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites.

40. Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni.