Së Bashku

Filipianëve 4:12-22 Së Bashku (ALNT)

12. Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë.

13. Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon.

14. Megjithatë, ju bëtë mirë që m’u gjendët pranë në vështirësitë e mia.

15. Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi ekonomikisht.

16. Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë.

17. Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj, që janë për dobinë tuaj.

18. Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë.

19. Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme.

20. Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia në shekuj të shekujve! Amen!

21. Përshëndetni të gjithë besimtarët në emër të Krishtit Jezu.Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin.

22. Ju përshëndesin të gjithë besimtarët e krishterë, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit.