Së Bashku

2 Pjetrit 3:1-8 Së Bashku (ALNT)

1. Fort të dashur, kjo është tashmë letra e dytë që po ju shkruaj. Në të dyja po përpiqem t’ju zgjoj kujtesën, që me mendje të kthjellët

2. të kujtoni fjalët që janë thënë më përpara nga profetët e shenjtë dhe urdhërimin e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë, që ju shpallën apostujt.

3. Së pari, duhet të dini se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës, që jetojnë sipas dëshirave të tyre. Ata do t’ju përqeshin

4. dhe do t’ju thonë: «Ku është premtimi i ardhjes së Zotit? Të parët tanë vdiqën, por gjithçka mbeti si në fillim të krijimit».

5. Ata harrojnë me dashje se qiejt, kohë më parë, u bënë me fjalën e Perëndisë. Po ashtu edhe toka, që u bë nga uji dhe nëpërmjet ujit.

6. Po me ujë u shkatërrua bota e atëhershme, kur u bë përmbytja.

7. Ky qiell dhe kjo tokë ruhen nga e njëjta fjalë, për t’u shkatërruar me zjarr kur të vijë dita e gjykimit dhe e shkatërrimit të të pafeve.

8. Edhe këtë gjë mos e harroni, fort të dashur, se për Zotin një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet janë si një ditë.