Bibla Shqip

Zakaria 8:9-19 Bibla Shqip (ALBB)

9. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.

10. Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vetë, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njëri-tjetrit.

11. Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara", thotë Zoti i ushtrive.

12. "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t'u japin vesën e tyre. Do t'i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.

13. Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t'ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".

14. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t'ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin", thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,

15. kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t'i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!

16. Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.

17. Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".

18. Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua përsëri, duke thënë:

19. "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen".