7. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.
8. Unë do t'i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".
9. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.
10. Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vetë, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njëri-tjetrit.
11. Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara", thotë Zoti i ushtrive.
12. "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t'u japin vesën e tyre. Do t'i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.
13. Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t'ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".
14. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t'ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin", thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,
15. kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t'i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!
16. Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.