Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 9:6-19 Bibla Shqip (ALBB)

6. Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ''Zot, ç'don ti të bëj unë?''. Dhe Zoti: ''Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç'duhet të bësh''.

7. Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.

8. Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

9. Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.

10. Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ''Anania!''. Dhe ai u përgjigj: ''Ja ku jam, Zot!''.

11. Dhe Zoti i tha: ''Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12. ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t'ia kthyer dritën e syve''.

13. Atëherë Anania u përgjigj: ''O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14. Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd''.

15. Por Zoti i tha: ''Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16. Sepse unë do t'i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim''.

17. Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ''Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë''.

18. Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19. Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.