Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 8:7-24 Bibla Shqip (ALBB)

7. Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të demonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.

8. Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.

9. Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh.

10. Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ''Ky është fuqia e madhe e Perëndisë''.

11. Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me magjitë.

12. Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan.

13. Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.

14. Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin.

15. Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë,

16. sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus.

17. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë.

18. Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para,

19. duke thënë: ''Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t'i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë''.

20. Por Pjetri i tha: ''Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë.

21. Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë.

22. Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate.

23. Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë''.

24. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë''.