Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 8:21-35 Bibla Shqip (ALBB)

21. Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë.

22. Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate.

23. Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë''.

24. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë''.

25. Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillëzuan shumë fshatra të samaritanëve.

26. Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: ''Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë''.

27. Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar.

28. Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia.

29. Dhe Fryma i tha Filipit: ''Afrohu dhe arrije atë karrocë!''.

30. Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: ''A e kupton atë që lexon?''.

31. Ai tha: ''E si do të mundja, po s'pata një që të më udhëzojë?''. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij.

32. Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ''Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet.

33. Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka''.

34. Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: ''Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?''.

35. Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin.