Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 6:2-12 Bibla Shqip (ALBB)

2. Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ''Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

3. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t'ua besojmë këtë detyrë.

4. Kurse ne do të vazhdojmë t'i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës''.

5. Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një proselit nga Antiokia.

6. I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

7. Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

8. Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

9. Dhe disa nga sinagoga, që quhej e libertinëve, të kirenarëve, të aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

10. por nuk mund t'i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

11. Atëherë nxitën disa njerëz të thoshin: ''Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë''.

12. Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.