Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 5:21-28 Bibla Shqip (ALBB)

21. Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t'i sjellë apostujt.

22. Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,

23. duke thënë: ''Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda''.

24. Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç'donte të thoshte gjithë kjo punë.

25. Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ''Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin''.

26. Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.

27. Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti,

28. duke thënë: ''Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu''.