Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 5:2-18 Bibla Shqip (ALBB)

2. por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.

3. Por Pjetri i tha: ''Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?

4. Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!''.

5. Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.

6. Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.

7. Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç'kishte ndodhur.

8. Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: ''Më thuaj, a e shitët arën për kaq?''. Dhe ajo u përgjigj: ''Po, për aq''.

9. Atëherë Pjetri i tha: ''Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!''.

10. Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.

11. Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.

12. Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.

13. Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.

14. Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,

15. aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.

16. Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.

17. Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,

18. dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.