Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 27:29-44 Bibla Shqip (ALBB)

29. Atëherë, nga frika se mos përplaseshin kundër shkëmbinjve, hodhën nga kiçi katër spiranca, duke pritur me ankth që të bëhej ditë.

30. Por, duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallin në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi,

31. Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: ''Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni''.

32. Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit dhe e lanë të bjerë jashtë.

33. Dhe në pritje që të bëhej ditë, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke thënë: ''Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë.

34. Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë''.

35. Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë.

36. Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.

37. Dhe në anijen ne ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38. Dhe mbasi hëngrën sa u ngopën, e lehtësuan anijen duke hedhur grurin në det.

39. Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.

40. I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.

41. Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.

42. Ushtarët ishin të mendimit t'i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.

43. Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;

44. pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.