11. Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s'ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit''.
12. Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: ''Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh''.
13. Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenikja erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.
14. Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: ''Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,
15. kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.
16. Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t'i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.
17. Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.
18. Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.
19. Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.