Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 2:17-31 Bibla Shqip (ALBB)

17. "Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.

18. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.

19. Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.

20. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit.

21. Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet".

22. Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,

23. ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.

24. Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.

25. Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.

26. Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.

27. Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.

28. Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".

29. Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.

30. Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t'u ulur mbi fronin e tij;

31. dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.