Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 19:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dhe ndërsa Apolo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:

2. ''A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?''. Ata iu përgjigjën: ''Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë''.

3. Dhe ai u tha atyre: ''Me se, pra, u pagëzuat?''. Ata u përgjigjën: ''Me pagëzimin e Gjonit''.

4. Atëherë Pali tha: ''Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t'i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.

5. Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

6. Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

7. Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

8. Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

9. Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.

10. Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, judenj dhe grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.

11. Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit,

12. aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre.